LAJME Fëmijët e Prishtinës kanë mbledhur 4 mijë dhurata për fëmijët në nevojë
Fëmijët e moshave 4 deri në 11 vjeç të shkollave të Prishtinës, kanë mbledhur 4 mijë dhurata për fëmijët në nevojë. Mbledhja e këtyre dhuratave është bërë në kuadër të projektit “Unë/ty dashuri në paketë”, që këtë vit është organizuar për herë të tretë.
Krejt kjo u bë nën ombrellën e fondacionit Mute, në bashkëpunim me komunën e Prishtinës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Projekti “Unë/ty, dashuri në paketë”, u tha se është projekt humanitar dhe edukativ, që iu ofron fëmijëve mundësinë të shprehin përkujdesjen e tyre dhe dhembshurinë për fëmijët e familjeve të varfëri apo ata me nevoja të veçanta.
Presidentja e fondacionit, Florie Bajoku, u shpreh se ky projekt nuk është thjeshtë vetëm një pako, por sipas saj, është më kuptimplotë, e që tek fëmijët e zhvillon filantropinë.
”Unë/Ty dashuri në paketë mund t’i ndihmoj fëmijët të kuptojnë filantropinë dhe ndjeshmërinë në mënyra të reja, të zbuloj se si bujaria, durimi, toleranca, mendimi qytetar, kujdesi dhe dhembshuria janë jetësore për paqen dhe kuptimin njerëzor”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, deklaroi se ky aktivitet ka ndikim pozitiv tek fëmijët, të cilët mësojnë vlerën e solidaritetit dhe dhembshurisë.
“Në këtë pako që këta fëmijë e kanë dhuruar për moshatarët e vet, për fëmijët me nevoja të veçanta, për fëmijët e varfër, transmetohet një pjesë e shpirtit dhe e zemrës së tyre. I mësojmë këtë fëmijë me dhurua, i mësojmë këtë fëmijë me e kultivua vlerën e solidaritetit, ndjenjën e dhembshurisë, sepse në shoqërinë tonë për fat të keq ende mungon barazia sociale që quhet”
Këtij aktiviteti për herë të tretë i është bashkangjitur edhe Forca e Sigurisë së Kosovës me ushtarët e saj, ku për këtë drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak në FSK, Hajrush Kurtaj, tha se këtë e bëjnë me krenari për të ndihmuar të gjithë fëmijët.
Ky është viti i tretë që po e zhvillojnë këtë aktivitët në të cilën kanë arritur të mbledhin 4 mijë dhurata./Gazeta inFokus/
https://gazetainfokus.com/femijet-e-prishtines-kane-mbledhur-4-mije-dhurata-per-femijet-ne-nevoje/