MUTE Foundation i filloi trajnimet në modulin e Edukimit Teatror
Prishtinë 12 nëntor 2024 - MUTE Foundation e filloi më 9 e 10 nëntor ciklin e trajnimeve për edukatorët e fëmijëve të grupmoshave prej 3 deri 6 vjeç. Tema bosht e trajnimit është edukimi teatror, që praktikisht zbërthehet në përdorimin e lojës, dramës e teatrit për të nxitur e sistemuar një varg cilësish e aftësish tek fëmijët qysh në moshën e fëmijërisë së hershme.
Në krye të krejt këtij procesi, qëllimi është përgatitja e edukatorëve brenda një standardi profesional për të ndërtuar liri mendimi, nxitje kreativiteti e guxim shprehjeje; gjithherë të bazuara fort mbi dashurinë, sinqeritetin dhe transparencën në mësimdhënie, si premisë e garantuar për sukses!
DRAMA DHE TEATRI
Trajton problemet e jetës reale.
Provokon zgjidhje krijuese të problemeve dhe vendimmarrjes.
Zhvillon komunikimin verbal dhe joverbal (komunikimin emocional, gjuha e trupit).
Mund të përmirësojë mirëqenjen psikologjike (ulë stigmën, krijon ndjeshmëri).
Nxitë empatinë (ndryshon qëndrimet dhe çon në sjellje pro-sociale).
Ndërton bashkëpunim dhe aftësi të tjera sociale (ndërveprimin në grup).
Rrit përqëndrimin dhe të kuptuarit; fokus të qëndrueshëm të mendjes, trupit dhe zërit.
Shkakton reflektim për çështjet morale dhe vlerat njerëzore.
Mund të përdoret për të vlerësuar (loja, bashkëpunimi, përfshirja, qetësimi i hiperaktivitetit).
Është argëtuese (edukativ e terapeutik).
Kontribuon në zhvillimin estetik (përtej materiales, përjetimi i një lirie estetike).
MUTE Foundation do të vazhdojë pashtershëm përpjekjet që ky projekt të shtrihet e zgjerohet në gjithë vendin, duke bashkëpunuar me të gjithë partnerët e mundshëm. Me besimin se ky është shtegu i vetëm për një të ardhme me qytetarë që besojnë e gjejnë zgjidhje në natyrshmërinë civilizuese përparimtare për një shoqëri me themele të forta morale.
MUTE Foundation shpreh këtu mirënjohjen më të thellë për mbështesit e bashkëpunëtorët e këtij fillimprojekti, duke veçuar Kopshtin Parashkollor "Zogjtë", që miqësisht na mirëpritën në ambiente me energji lartësisht pozitive.
Më shumë materiale nga trajnimi mund të gjenden në: https://www.facebook.com/photo/?fbid=1067088618225555&set=pcb.1067091984891885